Dëgjon të tjerët se si shprehin mendimet e tyre dhe ndodh që nuk pajtohen me ato mendime, pa marrë parasysh se kënd duhet ta kundërshtosh. Të flasësh dhe ta shprehësh mendimin tënd, apo më mirë të heshtësh. Ne kemi të drejt të shprehim mendimin tonë, por si e marrin atë më të moshuarit. Të kundërshtosh dikë më të moshuar sigurisht se nuk të marrin për të mirë. Të tjerët mendojnë se kjo ndodh nga se si të rinj nuk jemi të edukuar mjaft dhe nuk po i respektojmë të tjerët sa duhet. Por, kjo nuk është aspak e vertetë. Thellë në mendimet tona, e dimë se të tjerët kanë përjetuar me shumë gjëra. Sigurisht se vetë koha i ka bërë të kuptojnë më shumë gjëra për jetën dhe për këtë, ne fjalët e tyre i konsedirojm si ‘ligj’ për ne. Por këtë duhet të na e tregojnë ata, të cilët duhet të na bindin se e kemi gabim, përndryshe tani ekziston ligji i vertetë, drejtësia. Ç’rëndësi ka mosha apo gjinia. Me rëndësi është vlera e asaj që mendojmë, më e rendesishmja është të ecim përpara. Kundërshton dikë, menjëhere të marrin për të keq, të shikojnë me bisht të syrit thua ke bërë një vepër penale. Ndërsa dikush që kupton atë që mendon, të jep një këshillë të mirë:"kur të gjithë bëhen budallenjë, pse ti dëshiron vetëm të bëhësh i mençur. Një njeri nuk mund të ndryshoj boten dhe nëse kjo gjë nuk është e mundur, atëhere budallai i vetëm është ai që flet." Të mendosh me vëmendje, kështu është më mirë. Por edhe vetë heshtja fletë, flasin vetë sytë tanë. Atëhere pse të mos e pranojmë atë që e mendojmë? Dhe kur kundërshtojmë e na konsiderojnë "budallenjë". Ne duhet t’u tregojmë të tjerëve se kjo është arsyeja pse vendi ynë nuk po ecë përpara, sepse të mençurit e rrallë po konsiderohen ‘budallë’.
Nga Egzona Muharemi
Nuk duhet vrapuar çdoherë për të blerë garderobë vetëm atëherë kur është e nevojshme! Këtë gjë mund ta bëjmë edhe gjatë kohës kur duam të relaksohemi dhe të kënaqemi duke blerë. Më së miri është t’ia fillojmë nga gjërat kryesore psh. pantallonet, ndonjë bluzë apo diç të ngjashme dhe pastaj të vazhdojmë me të tjerat që na përshtaten me ato që i kemi blerë. Mirëpo nëse nuk gjejmë diç që na përshtatet ne mund edhe të krijojmë vet diç për vete apo edhe të konsultohemi me dikë që di më shumë për këto gjëra.
Mendoj se më së miri është që njeriu të bazohet në shijen e vet, pasi që ende nuk kemi përparuar aq sa të kemi kreatorë të mirë. Kjo mund të vërehet menjëherë po të dalësh në rrugë dhe do të shohësh se më shumë tek ne është ‘IN’ lakuriqësia, gjë e cila më bën të më vie gërdi dhe turp. Por këto gjëra i praktikojnë më shumë njerëzit që kanë ‘vetëm një neuron në tru dhe atë nuk din ta përdorin’, por prapë diku thellë në mua ka një pikë shprese se gjërat do të vijnë në vete dikur…
Unë i falënderohem Zotit që ma ka mundësuar që të lexoj shumë mbi stilin, veshjet dhe t’i përcjell çdoherë revytë e kreatorëve të mëdhenj që më përshtaten edhe mua për nga shija, mirëpo asnjëherë duke mos iu larguar stilit tim që në fakt për momentin diktohet nga idetë e mia dhe shija ime.'’
Shenal Zeneli
Kudo që të shkosh, është e pamundur të mos dëgjosh tek flasin për seriale, kjo ndodh madje edhe në shkollë. Por ajo më e keqja është se, duke shikuar seriale, të rinjtë po edukohen gabimisht, p.sh. duke e shikuar serialin ‘Rubi’. Ekzistojnë njerëz që mendojnë se duhet vepruar ashtu si ajo, e nuk logjikojnë fare se si mund të përfundojnë në të ardhmen, duke e ditur se Rubi është një aktore dhe puna e saj është të aktroj, ndërsa ne jemi ne jetën reale dhe më e mira për ne të rinjët është që të mësojmë. Pastaj duke e parë serialin ‘Rebelët’ nxënësit mendojnë se duhet të krijojnë lidhje për t’u argëtuar e s’mendojnë fare se shkolla është për të mësuar .
Kam dëgjuar për një vajzë e cila kishte filluar të drogohet me aspirina pasi ka menduar se me konsumimin e drogës harrohen problemet dhe mund ta ndërprejë konsumimin e drogës kur të doj dhe të përfundoj e lumtur, ashtu si në seriale. Por a e kuptoni rrezikun e drogës? Do të vijë një qast kur do të jeni të varur nga droga dhe s’do të mund të bëni asgjë për veten tuaj, s’do të mund ta kontrolloni veten dhe do të shkaktoni vetëm probleme.
Për fat të mirë, një shoqe e asaj vajze e kishte lajmëruar kujdestarin e klasës dhe ky rast kishte përfunduar mirë, pa pasoja.
Por a e kuptoni, jeta nuk është film dhe edhe nëse i shikoni serialet, mos i merrni për të mirë gjërat banale .
Egzona Muharremi
Fare të vegjël fillojnë t’i ndjekin mësimet shkollore. Që nga ajo moshë secili nxënës dëshiron ta mbushë ditarin përplot me pesa. Është shumë e logjikshme që fëmijët e ciklit të parë e dëshirojnë pesën, meqë ajo iu jep shpresa për të vazhduar mësimin, të cilin në fillim e shohin si një gjë të padëshiruar. Që atëherë për ata fillon një jetë e re, për të cilën ata duhet t’i lënë anash lodrat. Fëmijët me kalimin e kohës adaptohen me jetën shkollore me ç’rast ajo iu bëhet një ndër gjërat më të rëndësishme. Aty gjejnë mësimin, argëtimin dhe shumë gjëra të këndshme që ekzistojnë. Dalngadalë së bashku me mësimet edhe nxënësit rriten, kalojnë nga niveli i parë shkollor në të dytin e të tretin, ku çdo fundvit shkollor dëgjojnë suksesin e arritur mësimor. Disa ndahen të kënaqur me arritjen e tyre mësimore, por ka edhe të pakënaqur me punën e tyre. Pesat janë ato që e nxisin punën e nxënësve në secilën lëndë. Prandaj ajo jo vetëm që e kënaqë nxënësin, por edhe e bën krenar, si atë ashtu edhe prindin e tij në sy të botës. Andaj s’është e kot thënja: ‘Kush mëson dhe punon, e arrin atë që don’.
Kaltrina Aliqkaj
Ekzistojnë nxënës që nuk e kuptojnë rëndësinë e mësimdhënësit! Por ka edhe të tillë që e çmojnë shumë. Fjala mësues është shumë e çmueshme, sidomos për ata që e kuptojnë se sa shumë punë i duhet atij për të punuar me nxënës.
Ndonëse ka njerëz që mendojnë se puna e mësimdhënësit është shumë e lehtë, unë mendoj se nuk është e vërtetë. Mësimdhënësi ka probleme të ndryshme, meqë ekzistojnë edhe nxënës që nuk e respektojnë askënd dhe veprojnë vetëm sipas mënyrës së tyre. Prapseprap ai edhe me nxënës të tillë mundohet të punojë dhe t’iu tregojë atyre se gjëja më e mirë për ta është të mësojnë e jo të shkojnë rrugëve të këqija. Ai na flet me dashuri e mirësi, duke na treguar rëndësinë e mësimit, të mirën dhe të keqen dhe na ndihmon në zgjedhjen e problemeve, përveç mësimeve që na i shpjegon çdo ditë. Këtë e bën sidomos kujdestari i klasës, i cili kujdeset për ne si një prind i vërtetë dhe na dëshiron vetëm më të mirën. Këtë e them nga përvoja që kam pasur me kujdestarët e mëparshëm, me të tanishmin dhe me të gjithë mësimdhënësit në shkollën time. Mjerë ai që nuk e din rëndësinë e mësimdhënësit!
Egzona Muharremi
Ka shumë gjëra të padëshirueshme, të cilat janë pjesë e jetës, megjithëse i lëndojnë të tjerët. Të atilla janë: nënçmimi, thashethemet, intrigat e shumë të tjera. Fatkeqësisht në të katër anët e botës ka njerëz që merren me këto gjëra.
Thelbi kryesor i kësaj teme është nënçmimi - gjë negative, por që shumë njerëz e kanë hobi. Ata dëshirojnë që t’i nënçmojnë të tjerët, ndërsa vetja e tyre iu duket e përkryer. Në fakt ata që nënçmojnë i bëjnë dëm vetvetes, meqë dalin më të nënçmuar se të tjerët. Edhepse në botë ka gjëra të bukura me të cilat ia vlen të merresh, pra të sjellin paqe në jetë, ata prapëseprapë vazhdojnë tutje. Me të vërtetë është turp për njerëzit e këtillë sepse asnjë njeri nuk është i përkryer në jetë. Disa njerëz janë të bukur nga pamja, disa janë shpirtërisht të mirë, por ka edhe njerëz fizikisht me të meta, andaj nënçmimin duhet lënë pas. Duhet harruar atë, në mënyrë që njerëzit ta duan njëri-tjetrin, përndryshe nuk do të ketë jetë të qetë dhe të lumtur për të gjithë. Duhet mposhtur gjërat e këtilla për t”ia hapur rrugën gjërave të bukura.
Kaltrina Aliqkaj

Mbaron shkollën fillore dhe vjen koha për të vazhduar shkollimin e mesëm. Për të këtë duhet zgjedhur shkollën dhe profesionin që dëshiron. Shumë nga ne zgjedhim si profesion mjeksinë. Padyshim mund të them se këtë profesion e zgjedhin meqë në shkollat e mjekësisë zotërojnë rregullat, respektimi i tyre, paqja dhe mësimi. Një nga këto shkolla është edhe ajo e mjeksisë ‘Dr. Xheladin Deda’ në Mitrovicë. “Është kënaqësi të jesh nxënës i kësaj shkolle” - këto fjalë dëgjohen shpeshherë nga nxënësit që mësojnë aty. Këto nuk janë vetëm fjalë të kota, në vete mbërthejnë një kuptim të gjerë për nivelin e lartë edukativo - arsimor. Me të hyrë brenda në shkollë sheh nxënës të veshur me mantela të bardhë që nga ato sheh një të ardhme të ndritshme. Në këtë shkollë ka numër të madh nxënësish e përveç kësaj ata janë ndër më të aftit, si për nga mësimi ashtu edhe për nga sjelljet. Me respektimin e rregullave, shkolla ka arritur atë nivel sa është për t’i marrë lakmi dhe për t’u mburrë me të. Këtë e krijojnë si drejtori ashtu edhe mësimdhënësit, duke u mbështetur në faktin se nga ata nxënësit konsiderohen si fëmijë të tyre, pra luajnë rolin e prindërit në shkollë. E nga kjo lind bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet nxënësve dhe mësimdhënësve. Ajo çka të bën të ndihesh njeriu më i lumtur që ekziston është se nxënësi vjen në shkollë vetëm me një qëllim, që të mësojë, që në të ardhmen të jetë dikushi në jetë, që ëndrra e tij të realizohet në një ambient të mirë. Pas kalimit të një periudhe padyshim do të ndjejnë mall për shkollën. Gjuha jonë ka aq fjalë të bukura, por për një shkollë të këtillë nuk gjej dot fjalë.
Kaltrina Aliqkaj , Skënderaj